Detyrat kryesore të pozicionit:
Punonjësit e Forcës së Sigurisë Portuale kryejnë shërbim ne:

Hyrjet kryesore
Patrullë
Salle Operative

Punonjësi i FSPV ka për detyrë:

a) Të njohin, mbrojnë dhe garantojnë zbatimin e ligjeve, akteve nënligjore që ngarkojnë me detyra e kompetenca FSPV.
b) Të njohin strukturën organizative të Portit Detar Vlore, FSPV dhe strukturave të tjera që operojnë ne port.
c) Të ruajnë rrethimin e portit, te mbrojnë dhe të ruajnë të gjithë sektorët portualë, vlerat dhe infrastrukturat ndaj çdo lloj kërcënimi, qoftë edhe terrorist, duke përdorur mjete apo sisteme vrojtuese audiovizive, pajisje ndërlidhjeje si dhe duke përdorur teknika të ndryshme, duke respektuar ligjet në fuqi;
d) Të kryejnë kontrolle sigurie, si patrullime rastësore të paktën çdo dy orë, duke përfshirë të gjithë rrethimin nga toka, uji dhe anën e akostimit, sigurimin e cimave të ankorimit të anijeve. Të gjitha incidentet dhe cenimet e sigurisë raportohen te autoritetet ose shërbimet e emergjencës sipas nevojës dhe regjistrohen me anë të Formularit të raportimit të incidenteve.
e) Të kenë njohuri të plota dhe kualifikimin përkatës për përdorimin e armatimit dhe pajisjeve të kontrollit të sigurisë, si dhe të njohin mirë procedurat e kontrollit të sigurisë për pasagjerët, bagazhet, automjetet, kontejnerët, anijet etj.
f) Të marrin masa te menjëhershme për zbatimin e procedurave në rast evidentimi të artikujve të ndaluar dhe të bëjnë raportim për çdo rast.
g) Të parandalojnë veprimtaritë kriminale dhe të raportojnë menjëherë tek Policia e Shtetit çdo lloj veprimtarie kriminale dhe hetimi ndaj tyre dhe të marrin masa si: 1) dhënien e ndihmës së nevojshme të dëmtuarve, 2) marrjen e masave për ndalimin e kapjen e autorëve të ngjarjes, për ruajtjen dhe sigurimin e vendit të ngjarjes deri në ardhjen e punonjësve të policisë së shtetit, 3) sigurimin e të dhënave për dëshmitarët e ngjarjes apo autorët.
h) Të bashkëpunojnë me policinë dhe doganën për zbatimin e procedurave të kontrollit të automjeteve, pasagjerëve dhe anijeve.
i) Të vlerësojnë çdo informacion që ka të bëjë me raste emergjence dhe të veprojnë me iniciativë dhe me të marrë udhëzime t’i ndjekë ato, me qëllim ruajtjen e jetës dhe pronës, vendosjen e rregullit duke ndihmuar agjencitë pjesëmarrëse për zgjidhjen e situatës.
j) Të përdorin forcën dhe armët, në bazë të ligjit , “Për përdorimin e armeve”, duke i konsideruar ato si mjet ekstrem, me qëllim ndalimin e personave që kanë kryer, janë duke kryer, ose ka të dhëna të mjaftueshme se kanë kryer ose po përgatiten të kryejnë një krim në ambientet e portit apo në anijet që kanë për detyrë të ruajnë dhe përpiqen t’i shpëtojnë ndalimit.
k) Të qëndrojnë në vendin e punës dhe të zbatojnë me rigorozitet proçedurat operative në përputhje me këtë rregullore dhe urdhrat që jepen nga eprorët e drejtpërdrejtë.
l) Të kryejnë shërbimin me uniformën e miratuar, me ose pa armatim (sipas natyrës së shërbimit), pajisje dhe mjete speciale dhe në asnjë rast të mos largohen nga vendi i punës pa marrë leje nga eprori përkatës dhe pa u zëvendësuar
m) Të marrin në dorëzim dhe të dorëzojnë detyrën me procesverbal, të kontrollojnë vazhdimisht pajisjet e sigurisë që përdorin në sektorin e shërbimit dhe të njoftojnë shefat e turneve për çdo anomali apo incident që vërehet.
n) Të mbajnë kontakt me radio me sallën operative duke i raportuar çdo një ore dhe të veprojnë menjëherë për çdo informacion që marrin nga salla operative.
o) Të njohin komunitetin rrethues dhe zonat më të nxehta të dëmtimit të perimetrit, dhe të raportojnë çdo anomali që vërehet gjatë operimit.
p) Të jenë të familjarizuar me gjithë punonjësit e të gjitha subjekteve që operojnë në port, të njohin mirë detyrat e gjithsecilit, të njohin mirë pajisjet dhe të jenë të familjarizuar me të gjitha rregullat e vendosura për administrimin e çelësave, drynave për hapjen dhe mbylljen e tyre.
q) Të kontrollojnë vendosjen e rregullt të automjeteve në sheshet dhe kalatat e portit duke lenë rrugë të lire kalimi pa penguar punën për proceset e ngarkim shkarkimit.
r) Të njohin planin e vendosjes, skemën përkatëse si dhe sektorin ku kryejnë shërbimin, si dhe të kryejnë detyrat e përcaktuara në planet e miratuara për situata emergjente apo të kalimit të sigurisë në nivelin 2 dhe 3.
s) Të marrin pjesë dhe të kryejnë trajnim për kualifikimin e personelit çdo muaj të organizuar në bazë të planit mbi përgatitjen profesionale.
Veprimtaritë e perditshme, masat dhe procedurat e sigurise si dhe ato operative, perfshire dhe detyrat e sigurise per kete personel, do të jepen nëpërmjet instruksioneve dhe plan-vendosjes së FSPV, të cilat mund të jenë të karakterit kofidencial.

Kërkesat e përgjithshme për përzgjedhjen e forcës së sigurisë

1. Mosha: Kandidatët duhet të kenë moshën mbi 18 vjeç;
2. Shtetësia: Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë e vërtetuar kjo me dokumentin e identitetit të lëshuar nga organet kompetente;
3. Arsimi: Kandidatët duhet të kenë arsimin përkatës të përmendur më poshtë sipas postit që kërkohet (arsim i lartë dhe i mesëm);
4. Dëshmia e drejtimit të mjetit: Çdo kandidat duhet të ketë dëshmi për drejtimin e automjetit të lëshuar nga autoritetet kompetente në Republikën e Shqipërisë;
5. Karakteri dhe cilësitë morale: Kandidati duhet të ketë karakteristikat dhe integritet moral në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë për këtë fushë. Kandidati, duhet:
– të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale;
– të mos jetë nën hetim për vepra penale;
– të mos ketë histori për keqtrajtim ose abuzim të personave të tjerë, ose prirje për t’u përfshirë në akte të dhunshme, keqtrajtim të personit, ose ndonjë veprimtari tjetër imorale ose jo etike;
– të mos jetë përjashtuar me masë nga funksionet që ka kryer më parë për veprime të jashtëligjshme.
Çdo kandidat do t’i nënshtrohet një kontrolli të imët të së kaluarës së tij, në veçanti, të lidhjeve të tij me krimin e organizuar.
Këto të dhëna vërtetohen nga dokumentacioni që shoqëron kërkesën e kandidatit dhe vërtetimi i të dhënave personale të lëshuar nga Policia e Shtetit në përgjigje të kërkesës së bërë nga Autoriteti Portual/Porti Detar.
6. Përdorimi i substancave të jashtëligjshme: Kandidatët nuk duhet të përdorin substanca të jashtëligjshme dhe duhet që në të kaluarën të mos kenë përdorur substanca narkotike, substanca ilegale dhe alkool me tepri.
7. Konflikti i interesit: kandidati nuk duhet të ketë konflikt interesi me funksionin që do të kryejë.
8. Shikimi: Çdo kandidat duket të shohë normalisht me të dy sytë, mund të ketë shikim pak nën normalen por që mund të korrigjohet me anën e syzeve. Çdo kandidat duhet të jetë i aftë të dallojë ngjyrat. Kandidati duhet të mund të dallojë perspektivën dhe të ketë shikim periferik të mjaftueshëm për të drejtuar një mjet motorik dhe për të kryer detyra normale të sigurisë.
9. Dëgjimi: Kandidati duhet të jetë i aftë të dëgjojë normalisht me të dy veshët dhe pa ndihmën e aparateve të dëgjimit.
10. Vizita mjekësore: Kandidati duhet t’i dorëzojë Sektorit të Personelit të Autoritetit Portual raportin mjekoligjor të marrë në institucionet shtetërore të specializuara për vizitat mjekësore. Ky dokument duhet të vërtetojë që kandidati gëzon shëndet të plotë dhe shikon e dëgjon normalisht. Pranohen vizitat e bëra jo më herët se tre muaj nga dita e nënshkrimit të aplikimit.

Kërkesa të veçanta për postin e drejtorit, oficerëve të Sigurisë së Porteve dhe Zonave të Sigurisë në portin e Vlorës

a) Kandidatët që aplikojnë për të ushtruar detyrën si efektiv i Forcave të Sigurisë të portit Vlorë, përveç dokumentacionit të parashikuar në aneksin 1 të këtij udhëzimit nr.7, datë 11.6.2015 , duhet të dorëzojnë një CV të detajuar, të shoqëruar me diplomat dhe certifikatat origjinale ose kopje të noterizuara të tyre, e cila duhet të specifikojë aftësitë e aplikantit për të realizuar detyrat e kërkuara nga ligji për sigurinë në anije dhe porte ku të përfshijë eksperiencën e tij, në punë në porte ose anije dhe të ketë njohuritë e dijet në fushat e mëposhtme përveç kërkesave të përgjithshme të shprehura në nenin 2:
– Të ketë njohuri mbi veprimtaritë që kryhen në Portin e Vlorës dhe të jetë i trajnuar me detyrat specifike që kërkon ky shërbim;
– Të veprojë në mënyrë etike;
– Të ketë aftësi komunikuese.
Të gjithë të interesuarit duhet të dërgojnë pranë “Portit Detar Vlorë” sh.a brenda datës 14.06.2021 dokumenacionin e kërkuar:
1 Formulari i Sigurisë (plotësimi i tij)
2 3 foto +1 foto në disk
3 Fotokopje e kartës së identitetit
4 Certifikatë familjare
5 Raport mjeko-ligjor për punonjës policie
6 Diploma dhe lista e notave e noterizuar
7 Vërtetim nga Gjykata dhe Prokuroria
8 Deshmi Penaliteti
9 Vërtetim nga Përmbarimi
10 Leje drejtimi për automjet
11 CV personale e shoqëruar me certifikatat dhe trajnimet.

There are no comments yet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).